Mjet Identifikimi Dixhital, Rama: Do të nisë në fillim të vitit 2026
Kryeministri Edi Rama deklaroi se mjeti i Identifikimit Dixhital do të jetë gati në fillim të vitit 2026, një vit përpara Bashkimit Europian.
Shqipëria, një hap përpara BE-së
Gjatë aktivitetit për prezantimin e Identitetit Dixhital, Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria do të jetë ndër vendet e para në Europë që do të aplikojë këtë sistem, përpara afatit të vendosur nga Bashkimi Europian për vitin 2027. Ai e cilësoi këtë nismë si një “kapërcim të madh” drejt modernizimit të marrëdhënies midis qytetarëve, shtetit dhe ekonomisë.
Rëndësia e projektit për transformimin digjital
“Një tjetër moment i shumëpritur dhe mirëpritur, sepse prej disa kohësh jemi angazhuar me shumë dëshirë dhe ambicie për të krijuar identitetin dixhital, që është baza e një projekti të madh për të ardhmen falë teknologjisë. Në dijeninë time, çfarë po demonstrohet sot do të jetë në dispozicion të publikut në fillim të vitit të ardhshëm,” tha Rama. Ai shtoi se përqafimi i teknologjisë dixhitale është një bekim për vendet që e përdorin për të kapërcyer pengesa historike dhe për të ndërtuar institucione më efikase.
Objektivi: lehtësim i shërbimeve dhe siguri më e lartë
Mjeti i Identifikimit Dixhital do të mundësojë qytetarëve akses të unifikuar dhe të sigurt në shërbimet publike dhe private, duke reduktuar burokracitë dhe duke rritur transparencën në komunikimin me institucionet. Projekti synon gjithashtu të forcojë besimin në shërbimet online dhe të përshpejtojë proceset administrative për qytetarët dhe bizneset.